11 mars, 2024 – Kombëtarja e Kosovës U16 në konkurrencën e vajzave ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen hapëse në “UEFA Development Tournament U16” që ka nisur sot në Tiranë. Dardanet e udhëhequra nga Albina Rrahmani kanë mundur Kombëtaren e Shqipërisë, me rezultat 6:0. Ndeshja u zhvillua në kushte të rënda atmosferike, ku si pasojë e shiut të madh, loja u ndërpre për një periudhë kohore. Futbollistet dardane u shfaqën mjaft të motivuara për lojë, teksa ditën e saj e kishte Anisa Meha, e cila realizoi katër gola. Ajo fillimisht shënoi në minutën e 14-të, derisa u tregua e pamëshirshme për portën e ekipit kuqezi në minutat 31-të dhe 37-të. Shifrat në 4:0 i çoi Olsa Maqastena, në minutën e 42-të. Loja e mirë dhe mbizotërimi i plotë i Dardaneve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ndonëse përzgjedhësja Rrahmani u dha hapësirë për lojë të gjitha lojtareve. Ishte Anisa Meha (52′) që realizoi golin e saj të katërt për epërsinë 5:0, teksa rezultatin përfundimtar e vendosi Erijona Mehmeti, në minutën e 85-të. Ndeshjen e radhës Dardanet e zhvillojnë kundër Portugalisë, më 13 mars, derisa më pas përballen me Skocinë, më 16 mars.

Deklarata pas ndeshjes
Albina Rrahmani, përzgjedhëse: Një turne i vlefshëm, duke ditur që për vajzat e lindura më 2009 është hera e parë që janë pjesë e këtyre kompeticioneve të organizuara nga UEFA, e që ju shërben si përvojë dhe përgatitje kur të dalin te Kombëtarja U17.
Ndeshjen kundër Shqipërisë vajzat e filluan pak të emocionuara dhe të stresuara, gjë e cila ishte mjaft e dukshme edhe në lojën që po e bënin, por pas pak minutash filluan me menaxhimin e emocioneve e po ashtu filluan të bëjnë lojë më të mirë dhe si rrjedhojë erdhi edhe goli i parë. Më pas gjërat për ne ishin më të thjeshta dhe shënuam golat e tjerë. Është mirë që kishim mundësi të bënim të gjitha ndërrimet, që do të thotë që luajtën të gjitha vajzat e grumbulluara dhe kësisoj patëm mundësi të shohim paraqitjen e secilës. Ndeshjet do t’i marrim një nga një, është e rëndësishme që e fillum mbarë.
Ndeshja e ardhshme është kundër Portugalisë, një ekip aspak i lehtë. Shpresoj se do të mund të rikuperohemi mirë, meqë kemi më pak se 48 orë kohë dhe të përgatisim këtë ndeshje, në veçanti nga ana taktike, pasi kemi mangësi”.


Fotot: FSHF