14 tetor, 2023 – Kombëtarja e Kosovës U17 ka zhvilluar sot miqësoren e parë kundër Kombëtares së Shqipërisë të së njëjtës grupmoshë. Ndeshja e zhvilluar në “Kukës Arena” është përmbyllur me rezultat 2:1 në të mirë të kuqezinjve. Të përzgjedhurit e Arbnor Morinës patën paraqitje shumë të mirë në pjesën e parë, ku edhe e kapitalizuan me gol të Fation Haxhiut, në minutën e 25-të. Me këtë epërsi Dardanët e rinj shkuan në pushim dhe madje arritën ta menaxhojnë rezultatin deri në minutat e fundit të ndeshjes, kur pas zëvendësimeve të shumta në përbërje nga Morina ndodhi përmbysja e rezultatit. Fillimisht realizoi Matias Gici, në minutën e 89-të, derisa golin e fitores për Shqipërinë U17 e shënoi Renato Halili, në minutën e tretë të kohës shtesë. Miqësorja e radhës e këtyre dy kombëtareve do të zhvillohet të hënën në orën 11:00, sërish në “Kukës Arena”. Këty dy miqësore do t’i shërbejnë përzgjedhësit Morina dhe stafit të tij për ndeshjet kualifikuese për Evropian, që zhvillohen muajin e ardhshëm.