20 mars, 2024 – Kombëtarja e Kosovës U19 e ka nisur me fitore turneun kualifikues për Kampionatin Evropian 2024. Të mërkurën Dardanët e kanë mposhtur Austrinë e kësaj grup moshe në stadiumin “TSC Trate Gornja Radgona të Sllovenisë, me rezultat 1:0, në kuadër të Grupit 1 në “Elite Round”.

Në pjesën e parë Dardanët nuk krijuan shumë raste, por megjithatë portieri i Kosovës Erion Avdija, arriti ta mbrojë penalltinë në minutën e 23-të.

Dardanët e rinj e gjetën golin e shumë kërkuar që në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e 49-të, sulmuesi i Llapit, Elvir Gashijani gjuajti në drejtim të portës së Austrisë, derisa nga devijimi i mbrojtësit të kundërshtarit topi përfundoi në gol dhe rezultati ndryshoi në të mirë të Kosovës për 1:0.

Pavarësisht tentimeve të Austrisë deri në fund të ndeshjes për të ndryshuar rezultatin, mbrojtja e Kosovës dhe portieri Avdija ishin në nivel të detyrës dhe porta e qëndroi e paprekur.

Përzgjedhësi i Kosovës Adil Maliqi tha se e merituan fitoren:

“Jam shumë i lumtur për fitoren unë stafi dhe të gjithë futbollistët. E kemi merituar këtë fitore sepse kemi luajtur me pasion dhe me zemër. Nuk isha shumë i kënaqur me performancën por kjo vjen si pasojË e vetëm një stërvitjeje të zhvilluar. Pres që kundër Spanjës performanca do të jetë shumë më e mirë se ajo ndaj Austrisë. E rëndësishme është se ne i arkëtuam tre pikë. Mendoj se e merituam fitoren pavarësisht se Austria krijoi më shumë raste se sa ne. Ne dhamë gjithçka dhe e arritëm qëllimin”, theksoi ndër të tjera përzgjedhësi Maliqi.

Aktualisht Kosova është lidere e grupit 1 aty ku bëjnë pjesë edhe Austria, Spanja dhe Sllovenia.

Më 23 mars, Dardanët do të ballafaqohen me Spanjën në stadiumin “TSC Trate Gornja Radgona” po ashtu nga ora 16:00.