23 mars, 2024 – Kombëtarja e Kosovës U19 ka pësuar humbje nga Kombëtarja e Spanjës e kësaj grupmoshe me rezultat 2:1, në stadiumin “TSC Trate Gornja Radgona” të Sllovenisë, në ndeshjen e dytë të “Elite Round” për kualifikim në Kampionatin Evropian 2024.

Ndonëse Dardanët patën paraqitje të mirë, fati nuk ishte në anën e tyre. Pjesa e parë filloi me disa mundësi për Spanjën, e cila në minutën e 34-t edhe realizoi gol përmes Daniel Munoz. Me epërsinë 1:0 për spanjollët u përmbyll pjesa e parë.

Në të mirë të kundërshtarit nisi edhe pjesa e dytë. Në minutën e 50-të, Spanja thelloi epërsinë për 2:0 përmes futbollistit Pol Fortuni.

Më pas përzgjedhësi Adil Maliqi aplikoi disa zëvendësime, me ç ‘rast futi në lojë futbollistët Adam Hasani, Arianit Fazlija dhe Lirim Jasharin në vend të Igball Jasharit, Dior Gërbovcit dhe Elvir Gashijanit, derisa më vonë mundësi i dha edhe Elmedin Ramës në vend të Diamant Lokajt.

Golin e shumëkërkuar Kosova e gjeti në minutën e 77-të kur Eliot Bujupi shënoi për 2:1 me një gjuajtje fantastike nga ndërprerja. Përkundër dëshirës së madhe dhe përkushtimit të Dardanëve për të barazuar rezultatin, në fund takimi u mbyll me rezultat 2:1, pasi mbrojta e Spanjës nuk lejoi hapësira dhe e menaxhoi epërsinë në minutat e mbetura.

Përzgjedhësi Adil Maliqi u shpreh i kënaqur me paraqitjen e Dardanëve, derisa pohoi se përballë një kundërshtari të fortë siç është Spanja ishte e vështirë.

“Jam shumë krenar me djemtë dhe me paraqitjen e tyre. Kemi bërë një lojë fantastike sot ku kemi pasur më shumë raste se Spanja. Jemi ndeshur me një kundërshtar të jashtëzakonshëm individualisht dhe një cilësi të tillë nuk e kemi parë deri sot. Ata kanë një vlerë milionëshe por ne u kemi bërë ballë me futboll, duke refuzuar të mbrohemi. Kemi luajtur futboll atraktiv, kemi krijuar shumë raste dhe kjo më mbanë në shpresë sepse të luash ndaj një kundërshtari të tillë si Spanja, rritesh. Të martën do të luajmë për fitore, do të japim gjithçka  dhe nëse fitojmë dhe gjithçka shkon ashtu siç duam ne, do të kemi gjasa edhe të kualifikohemi”, theksoi pas ndeshjes përzgjedhësi Maliqi.

Ndeshjen e tretë në kuadër të turneut kualifikues, Kosova U19 e zhvillon kundër Sllovenisë të martën më 26 mars nga ora 12:00 në stadiumin “Sportni Park Lendava” në Slloveni. Kosovës i duhet fitorja ndaj sllovenëve, por edhe barazimi apo fitorja e Austrisë në duel me Spanjën, për të arritur suksesin historik – kualifikimin në Evropian.