17 tetor, 2023 – Një gol në kohën shtesë ia ka mohuar Dardanëve të rinj fitoren si mysafirë ndaj Bullgarisë në Sofje. Ndeshja e zhvilluar në “Slavia Stadium” ndërmjet kombëtareve U21 të Bullgarisë dhe Kosovës u mbyll baras 1:1. Kjo ishte ndeshja e katërt për të përzgjedhurit e Afrim Tovërlanit në Grupin D në ciklin kualifikues për Euro 2025, ku kanë një fitore, një barazim dhe dy humbje. Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe qysh në minutën e 8-të kaloi në epërsi përmes penalltisë së realizuar nga Ardit Tahiri. Edhe pas këtij goli Dardanët e rinj patën disa mundësi tjera shënimi, por nuk u treguan sa duhet të saktë. Kosova e menaxhoi mirë lojën dhe rezultatin deri në minutat e fundit. Megjithatë, përjashtimi i Andi Hotit pas dy kartonëve të verdhë në minutën e 82-të i vështirësoi gjërat në fushë. Dhe këtë epërsi numerike në fushë bullgarët e shfrytëzuan në minutat shtesë, kur Martin Sorakov shënoi me gjuajtje të fortë nga distanca për të barazuar shifrat në 1:1. Këto dy ekipe do të përballen sërish pas një muaji në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.