3 qershor, 2024 – Kombëtarja e Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave ka zhvilluar sot stërvitjen zyrtare në prag të ndeshjes kundër Kroacisë.
Dardanet sot aplikuan aktivitete tekniko-taktike, duke praktikuar pikat kyqe me të cilat Kosova pritet të paraqitet nesër mbrëma. Gjatë stërvitjes u vërejt edhe forma e mirë e kontigjentit të futbollisteve.
Atmosfera në ekipin e Kosovës është pozitive çfarë e dëshmojnë edhe deklaratat e futbollisteve.

Vanesa Hoti dhe Modesta Uka të cilat iu bashkuan ekipit të Kosovës gjatë ditës së djeshme janë komponuar mjaft mirë me pjesën tjetër të ekipit.
“Të gjitha jemi të gatshme për ndeshjen e nesërme dhe mezi po e presim. Sot në stërvitje e kemi dhënë më të mirën dhe nëse edhe nesër e bëjmë të njëjtën gjë, besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv”, theksoi futbollistja Hoti.

Derisa Florentina Kolgeci pohoi se e kanë lënë mbrapa humbjen në “Zahir Pajaziti” dhe janë fokusuar për ndeshjen kthyese, teksa shpreson në rezultat pozitiv:
“Atmosfera është shumë pozitive, jemi munduar të lëmë pas atë humbjen e dhimbshme dhe po mundohemi të jemi sa më kompakte për ndeshjen e ardhshme që të arrijmë rezultat pozitiv. Ne e kemi parë se çfarë kundërshtari është Kroacia, nuk është nivel shumë më i lart se ne, vetëm duhet të jemi më të qeta e më të bashkuara dhe sigurisht se mund të arrijnë rezultat pozitiv”, theksoi Florentina Kolgeci.

Ndeshja Kroaci Kosovë zhvillohet të martën nga ora 20:00 në stadiumin “Branko Çavloviq-Çavlek” në Karlovac të Kroacisë.