16 mars, 2024 – Kombëtarja e Kosovës U16 për vajza e ka përmbyllur pjesëmarrjen në “UEFA Development Tournament U16” në Tiranë. Në ndeshjen e tretë dhe të fundit në kuadër të këtij turneu, Dardanet e reja të udhëhequra nga Albina Rrahmani, kanë pësuar humbje nga një tjetër kundërshtari i nivelit më të lartë, Skocia (që në fund doli edhe fituese e turneut), me rezultat 2:0. Paraprakisht, Kosova kishte fituar nga Shqipëria (6:0) dhe kishte pësuar humbje nga Portugalia (0:2). Vashat dardane patën paraqitje shumë të mirë dhe nuk u treguan aspak inferiore, ndonëse përballë kishin një kundërshtar shumë më cilësor. Rezistenca e Kosovës u thye në minutën e 27-të, kur Freya Brien shfrytëzoi një mbulim jo të mirë të mbrojtjes dhe nga afërsia shënoi për 1:0, pasi mori një asistim nga këndorja. Në vazhdim Dardanet u përpoqën të gjejnë golin e barazimit dhe kishin disa mundësi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit. Ndërkohë, në momentet e fundit të ndeshjes kur të gjitha forcat ishin përqendruar tek barazimi i rezultatit, skocezët shfrytëzuan hapësirat e krijuara në mbrojtjen e Kosovës dhe në minutën e 87-të e vulosën fitoren, me golin e Dara Ositelu.