24 shkurt, 2024 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave në grupmoshën nën 17-vjeç e ka zhvilluar sot ndeshjen e dytë në kuadër të Grupit 2 të Ligës A për kualifikimet t Kampionatit Evropian 2024.

Pas humbjes së thellë nga Finlanda (5:0), Dardanet e drejtuara nga Sanije Krasniqi patën paraqitje shumë më të mirë kundër nikoqirit të ndeshjeve të këtij grupi, Portugalisë, duke pësuar në fund humbje me rezultat të ngushtë, 1:0.

Portugezët e dominuan ndeshjen në kontrollin e topit, por Dardanet patën paraqitje shumë të mirë në mbrojtje, e në disa raste u shfaqën të rrezikshme edhe për portën kundërshtare.

Pjesa e parë u mbyll baras (0:0. Në pjesën e dytë Portugalia hyri në lojë edhe më e vendosur për të shënuar dhe në minutën e 64-t ia arriti këtij qëllimi, kur Rita Melo shënoi në portën e Leyla Gërvallës.

Pas pësimit të këtij goli, Kosova u përpoq ta barazonte rezultatin, por me gjithë presionin drejt portës kundërshtare dhe rasteve të krijuara nuk arriti të gjejë rrugën e golit.

”Sot ka qenë një lojë me një kundërshtar mjaft të fortë, me cilësi të barabartë me ekipin e Finlandës. Gjatë këtyre dy ditëve kemi punuar shumë në rigjenerim dhe komponim të lojës. Në këtë ndeshje kemi luftuar shumë, ku vajzat kanë vrapuar më shumë dhe kanë bashkëpunuar më mirë me njëra-tjetrën, gjë e cila shihet edhe prej rezultatit ku pësuam vetëm një gol. Kemi pasur edhe ne rastet tona, por të cilat nuk i konkretizuam. Përkundër humbjes, jam e kënaqur me atë çfarë kanë treguar vajzat gjatë tërë 90 minutave të lojës, për çka edhe i përgëzoj, duke pasur parasysh cilësinë e kundërshtarit”, ka theksuar përzgjedhësja Sanije Krasniqi.

Ndeshjen e fundit në kuadër të këtij grupi Kosova e zhvillon pas tre ditësh kundër Islandës.

Portugalia – Kosova 1:0

Stadiumi: ‘Cidade do Futebol’ në Oeiras

Gjyqtare: Sofik Torosyan, Liana Grigoryan (Armeni), Katrine Stensholm Wulff (Danimarkë)

Kartonë të verdhë: Núria Ribeiro (68′), Matilde Vaz (74′), Caetana Vicente (90+2) – Elonë Bytyqi (44′), Aurora Mulliqi (45+2).

Golashënuese: Rita Melo (64′)

Portugalia: Rafaela Mendonça, Vitória Leite, Caetana Vicente, Cintia Martins, Rita Melo,Carolina Simões, Sofia Liu (Joana Valente,Int), Luena Ferreira, Vitória Coelho (Matilde Vaz,Int), Núria Ribeiro dhe Joana Reis ( Ana Carolina Sá, 85′)

Kosova: Leyla Gërvalla, Ramize Orana (Emine Verbovci, 90+4′), Aurora Mulliqi, Mirjeta Januzi, Elona Paci, Ela Raka (Agnesa Krasniqi,61′), Riga Kallaba, Liza Hoxha, Aurela Imeraj, Viola Nuha (Loela Ahmeti,61′) dhe Elonë Bytyqi (Elsa Terstena, 88′).