21 shkurt, 2024 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave e grupmoshës nën 17-vjeç ka zhvilluar sot ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024, që po mbahen në Portugali.
Kosova, e cila ndodhet në Grupin 2 të Ligës A, pësoi humbje me rezultat të thellë ndaj kombëtares së Finlandës, me rezultat 5:0.
Finlandezet e siguruan epërsinë me të filluar ndeshja, me ç’ rast në minutën e shtatë përmes Todoshchenko shënuan golin e parë.
Me të filluar pjesa e dytë, përkatësisht në minutën 48 u akordua penallti për finlandezet, por gjuajtjen e Olivia Ulenius e priti portierja Leyla Gërvalla.
Megjithatë, vetëm një minutë më vonë Finlanda e gjeti rrugën e golit përmes Laura Oksanës.
Përzgjedhësja Sanije Krasniqi, në minutën e 60-të bëri dy zëvendësime, duke futur në lojë Viola Nuhajn dhe Loela Ahmetin, në vend të Albonita Statovcit dhe Elona Pacit, por as me këtë ndryshim, Kosova nuk arriti ta ndalë kundërshtarin.
Kështu, në minutën e 71-të Finlanda realizoi golin e tretë përmes Jelena Todoshchenkos, e cila shënoi hat-trick në këtë takim, pasi realizoi edhe në minutën e 76-të për 4:0. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar 5:0 e vendosi Bella Aalto, në minutën e 77-të.
Ndeshjen e radhës Dardanet e zhvillojnë të shtunën nga ora 12:00, ku i pret një sfidë edhe më e vështirë kundër Portugalisë nikoqire.

Sanije Krasniqi, përzgjedhëse: Gjithmonë kur po kemi ndeshje me kundërshtar të nivelit më të lartë, përgjigja është e njëjtë; neve na mungon përgatitja fizike. Si zakonisht pjesa e parë ka qenë shumë e mirë, ka qenë e barabartë, ku edhe ne e kemi qarkulluar topin dhe kemi pasur sulme drejt portës kundërshtare, por në pjesën e dytë përgatitja fizike e bëri të veten dhe nuk arritëm të përmbushim detyrat tona. Kemi qenë të vetëdijshme se do të jetë vështirë për ne, duke pasur parasysh se ende nuk ka filluar stinori pranveror i garave në kampionatin tonë. Një tjetër pengesë për ne është fakti se të gjitha ndeshjet e kampionatit tonë luhen në fusha me bari artificial, derisa ndeshjet e këtilla ndërkombëtare luhen në fusha me bari natyral. Shpresoj që kjo humbje ka me qenë një reflektim si për klubet, ashtu edhe për vajzat që të punojnë më shumë në aspektin fizik, pasi aty çalojmë më së shumti. Shpresoj të kemi paraqitje më të mira në ndeshjet në vazhdim, pasi do të kemi edhe më shumë kohë të punojmë së bashku. Megjithatë, nuk duhet harruar faktin se në Ligën A kemi të bëjmë me kundërshtarë shumë të fortë.

Mirjeta Januzi, futbolliste: Në pjesën e parë në përgjithësi luajtëm në nivel të mirë dhe patëm mundësi edhe të shënonim gol. Ndërkaq, në pjesën e dytë nuk ishim në nivel dhe këtë e shfrytëzoi kundërshtari. Mirëpo, sigurisht se pas çdo ndeshje ne do të luajmë më mirë dhe besoj se në të ardhmen do të luftojmë më shumë për rezultate më të mira.