8 prill, 2024 – Kualifikimet për Kampionatin Evropian U19, Kosova i ka përmbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme. Dardanet e mposhtën Izraelin, me rezultat 2:1, në ndeshjen e fundit kualifikuese, me ç ‘rast edhe dolën triumfuese të Grupit 3 në Ligën B. Rezultatet pozitive në ndeshjet e arritura në këtë fazë të kualifikimeve kanë bërë që Kosova të avancojë në Ligën A, për ciklin e ardhshëm kualifikues.

Paraqitja e Dardaneve në ndeshjen ndaj Izraelit ishte majft e mirë. Pjesa e parë nuk ishte me shumë fat për Kosovën, pasi kundërshtari ia doli të kalojë në epërsi në minutën e 36-të me golin e Talma Tal. Megjithatë, të përzgjedhurat e Albina Rrahmanit nuk u dorëzuan por arritën të komponohen mirë dhe në pjesën e dytë arritën të përmbysin rezultatin.

Vetëm pas pesë minutash lojë në kaptinën e dytë, Eriona Elezi riktheu baraspeshën në rezultat, 1:1. Përkushtimi i Dardaneve për të dominuar Izraelin dhe për të triumfuar në këtë ndeshje u shfaq edhe në vazhdim, teksa në minutën e 71-të Rreze Gashi konkretizoi aksionin pas asistimit të Aurora Racajt, duke bërë që Kosova të kalojë në epërsi. Në fund doli që ky gol të ishte edhe i fitores, 2:1. Kosova përfundoi lidere e Grupit 3 në Ligën B, me gjithsej 9 pikë.

Deklarata pas ndeshjes:
Albina Rrahmani, përzgjedhëse: Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe e luftuar, ashtu siç edhe e kemi pritur. Vajzat i qëndruan detyrave siç i kemi udhëzuar dhe në fund ia dolëm të fitojmë. Na vjen mirë që u kualifikuam në Ligën A, sidomos për vajzat e kësaj gjenerate që kanë zhvilluar disa ndeshje shumë të mira. Tani kjo gjeneratë ndërrohet dhe nuk do të jenë pjesë e jona, por me punën dhe talentin që kanë vërtetë e kanë merituar këtë sukses. Neve na mbetet shumë punë, duke e ditur se ndeshjet e Ligës A janë shumë më të forta por edhe për faktin se 70 përqind e lojtareve të kësaj gjenerate do të ndërrohen. Shpresoj që vajzat që do të vijnë do të jenë të përgatitura dhe të talentuara për suksese të reja.