2 prill, 2024 – Kombëtarja e Kosovës për vajza U19 ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen e parë të raundit të dytë për kualifikimet e Evropianit 2024 kundër Gjibraltarit, me rezultat 5:0. Dardanet e reja të udhëhequra nga Albina Rrahmani bëjnë pjesë në Grupin 3 në Ligën B, e ku fituesi i grupit avancon në Ligën A për ciklin e ardhshëm kualifikues. Kosova e nisi mirë ndeshjen, teksa rezistencën e vendaseve e theu në minutën e 27-të, kur Rreze Gashi shënoi golin e parë. Tetë minuta më vonë realizoi Alba Shabani. Me epërsinë e dy golave u mbyll pjesa e parë, teksa në vazhdim Dardanet u treguan edhe më efikase, duke realizuar tre gola tjerë. Zëvendësuesja Sahare Berisha shënoi dy gola (në minuta 74 dhe 84), kurse rezultatin përfundimtar e vendosi Ema Kerqota, në minutën e 87-të. Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon më 5 prill kundër Luksemburgut, ndërsa më 8 prill luan ndaj Izraelit. Ky i fundit sot mposhti Luksemburgun, 1:0.