5 prill, 2024 – Kombëtarja e Kosovës e grupmoshës U19 në konkurrencën e vajzave e ka mposhtur sot Kombëtaren e Luksemburgut, të të njëjtës grupmoshë, me rezultat bindës 4:0, në kuadër të Grupit B3 në Ligën B, në rrethin e dytë për kualifikimet e Evropianit 2024.

Dardanet e reja, me plotë përkushtim iu qasën lojës që nga fillimi i ndeshjes. Në pjesën e parë, Kosova zhbllokoi rezultatin duke shënuar golin e parë përmes Rreze Gashit në minutën e 40-të.

Me të filluar pjesa e dytë, gjegjësisht në minutën e 49-të, Sahare Berisha shënon për 2:0. Vetëm pesë minuta më pas, Alba Shabani thellon epërsinë me golin e saj duke çuar rezultatin e Kosovës në 3:0.

Ekipi kundërshtar i cili nuk arriti t’i rezistojë Kosovës, pak para fundit zyrtar të ndeshjes, përkatësisht në minutën 82 shkaktoi autogol, çfarë bëri që Kosova ta përmbyllë takimin me Luksemburgun me shifrat 4:0.

Në ndeshjen e parë Kosova fitoi kundër Gjibraltarit, me rezultat 5:0, ndërsa më 8 prill do të luajë ndeshjen vendimtare për vendin e parë në grup, ndaj Izraelit.

Nëse e fiton grupin, Kosova U19 do të promovohet në Ligën A për ciklin e ardhshëm kualifikues.

Deklaruan pas ndeshjes:

Besjana Zogaj: Ndeshja e sotme ka qenë shumë e mirë. Jemi munduar t’i përmbahemi detyrave të trajneres dhe kemi fituar me rezultat bindës. E kemi edhe një ndeshje tjetër të rëndësishme dhe do të mundohemi gjatë këtyre dy ditëve t’i përkushtohemi detyrave të trajneres dhe ta fitojmë ndeshjen e të ngjitemi në Ligën A.

Viola Behrami: Fillimisht jam shumë e lumtur që jam pjesë e Kombëtares dhe shumë krenare që mund ta përfaqësoj vendin tim. Loja e sotme ka qenë shumë e mirë dhe këtë e tregon edhe rezultati. Në fillim kemi hasur paksa vështirësi, por me ndihmën e trajnereve dhe detyrave që i kemi bërë në fushë loja ka shkuar mirë dhe kemi arritur t’i japim katër gola. Tash na ka mbetur një ndeshje shumë e rëndësishme kundër Izraelit. Kemi pak kohë për t’u përgatitur, por besoj që me detyrat që na i japin trajneret do të jetë një lojë shumë e mirë. Ne do ta japim maksimumin që të dalim fitues të grupit.