28 shkurt, 2022 – Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare, BKT Kosova, vazhdojnë të ndajnë çmimin “YLLI I JAVËS”, për lojtarin më të mirë të xhiros.

“YLLI I JAVËS” për xhiron e 22-të në BKT Superligë është shpallur futbollisti i KF Llapi, Valmir Veliu

Sulmuesi anësor i llapjanëve ishte lojtari më i mirë i ndeshjes në fitoren bindëse që skuadra e tij e arriti në shtëpi ndaj Malishevës, me rezultat 3:0.

Ai shënoi dy gola në këtë ndeshje duke qenë më i merituari për fitoren e 11-të të skuadrës së tij në këtë edicion.

Për Valmir Veliun kjo është hera e dytë në këtë edicion që shpallet “Ylli i Javës”, pasi këtë çmim e kishte fituar edhe në javën e 10-të, kur po ashtu kishte shënuar dy gola.

Fitorja e kësaj jave ia ka mundësuar KF Llapi që ta përforcojë pozitën e katërt në renditje në BKT Superligë me 39 pikë, duke e ruajtur hapin me skuadrat e kreut në garën për titull.

Çmimin “Ylli i javës” për futbollistin e KF Llapi, Valmir Veliu e ndau Ferat Klisurica, senior specialist në BKT.