12 janar, 2018 – Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur sot manifestimin tradicional “Laureatët e Vitit 2017”, në hotelin ‘Emerald’ në praninë e mysafirëve të shumtë. Fillimisht të pranishmëve iu drejtua presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili u shpreh i kënaqur me punën e bërë gjatë vitit që e lamë pas, por tha se gjatë këtij viti FFK-në e pret një punë e madhe dhe se gjithmonë do të ketë vend për përmirësime të mëtutjeshme. Presidenti Vokrri me këtë rast tha se prioritet i FFK-së në këtë vit do të jetë përmirësimi i infrastrukturës, derisa vlerësoi paraqitjet e ekipeve kombëtare, sidomos atë të grupmoshës U19, e cila arriti të kalojë në fazën kualifikuese ‘Elite Round’. Sa i përket Kombëtares A, presidenti theksoi se ka pasur paraqitje të mira në disa ndeshje, porse rezultatet nuk kanë qenë të kënaqshme, përderisa ekipet e grupmoshave tjera dhe ato të femrave kanë pasur paraqitje solide. Presidenti Vokrri e vlerësoi edhe kampionatin e Vala Superligës si mjaft dinamik dhe me rritje të cilësisë.
Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe ministri i sportit, Kujtim Gashi, i cili konfirmoi edhe një herë përkrahjen për futbollin si sportin më të popullarizuar, duke potencuar se qeveria e ka vendosur sportin si prioritet dhe se shumë shpejtë do të fillojë ndërtimi i Stadiumit Nacional në Drenas. Ndërkohë, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, i cili pranoi mirënjohjen për FSHF-në, pati fjalë miradie për punën e presidentit Vokrri dhe të FFK-së në vitin 2017. Ai theksoi se në Prishtinë ndihet ashtu sikurse në Tiranë, derisa për evente të tilla si kjo tha se ia ka lakmi FFK-së për mënyrën se si i organizon.
Epiteti i futbollistit më të mirë për të dytin vit radhazi i takoi futbollistit të kombëtares së Kosovës, Valon Berisha, të cilit çmimin ia ndau presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri. Me këtë rast Valon Berisha u shpreh i lumtur që për herë të dytë u nderua me çmimin e futbollistit më të mirë të Kosovës. “Ju falënderoj përzemërisht dhe ndihem krenar për këtë çmim. Falënderoj Zotin për çdo arritje timen si dhe familjen time për mbështetjen e parezervë. Falënderoj edhe presidentin Vokrri, si dhe ish-përzgjedhësin Albert Bunjaku, i cili për një kohë të gjatë u angazhua që unë të bëhem pjesë e Kombëtares së Kosovës. Po ashtu falënderoj edhe të gjithë bashkëlojtarët si te Kosova, ashtu edhe te Salzburgu. Shpresoj që ky vit të jetë edhe më i mirë”, ka theksuar Berisha. Ndërkohë, epiteti i futbollistit më të mirë në Vala Superligën e Kosovës në futboll i takoi futbollistit të Trepçës’89, Florent Hasani, derisa edhe çmimi i golashënuesit më të mirë shkoi te Trepçëa’89, të cilin e mori John Oto John.
Me mirënjohje u nderuan zyrtarët e UEFA-s, Thiery Favre, Petr Fousek dhe Bjorn Vassallo, pastaj Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Federata Shqiptare e Futbollit, Policia Shqiptare, Bashkia e Shkodrës, Policia e Kosovës, TEB Banka, Malësia Reisen, Vala, Hotel Emerald, Digitalb, Hotel Internacional Prishtina, Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës, Grupi i tifozëve ‘Dardanët”. Me mirënjohje për kontributin e dhënë për futbollin kosovar u nderuan Shefqet Thaçi, punëtor shumëvjeçar i FFK-së, si dhe përzgjedhësi i deritashëm, Albert Bunjaku. Me mirënjohje postmortum u nderuan:  Agim Maloku, Remzi Kurshumliu, Hashim Ajeti, Përparim Cermjani,  Shkëlqim Pllana, Hysen Hyseni, Rifat Ymeri, Shemsi Humolli, Emin Simnica, Maliq Lushaku, Hamit Shishko, Ramadan Hoxha, Hajrush Latifi, Hafiz Gashi, Nexhat Halimi, Muharrem Maksuti, Kadri Ahmeti, Bedri Zhubi dhe Beqir Hoxha. Me çmimin punëtori sportiv i vitit u nderua  Xhevdet Shoshi. Klubi më i mirë në futsall u shpall Liburni nga Gjakova, derisa anëtari i këtij klubi, Halim Selmanaj, u shpall lojtari më i mirë. Në futbollin e femrave klubi më i mirë u shpall Hajvalia, derisa me çmime u nderuan Zelfije Bajramaj (Hajvalia), Edona Kryeziu (Mitrovica) dhe Verona Berisha (Kosova P). Klubi më ‘Fair Play’ u shpall “Trepça ‘89”. Ky klub njëherësh e fitoi edhe çmimin e klubit më të mirë për vitin 2017. Gjyqtari më i mirë i vitit u shpall Genc Nuza, derisa trajneri më i mirë Zekirja Ramadani.
 
Top 11-shja e vitit e Vala Superligës
1. Faton Maloku   (Feronikeli)
2. Armend Thaqi (Gjilani)
3. Armend Dallku (Prishtina)
4. Rron Broja (Trepca 89)
5. Ardian Limani (Drita)
6. Hamdi Namani (Llapi)
7. Genc Hamiti (Drenica)
8. Mentor Zhdrella (Llapi)
9. Mirlind Daku (Llapi)
10. Xhevdet Shabani (Drita)
11. Florent Hasani (Trepça 89)