10 nëntor, 2017 – Në një atmosferë të jashtëzakonshme pune e sportive kanë vazhduar edhe sot përgatitjet e Kombëtares A të Kosovës për ndeshjen miqësore kundër Letonisë, e cila do të zhvillohet më 13 nëntor në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Përgatitjet po bëhen në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ku ishin të pranishëm plotë shikues dhe media. Edhe në ditën e dytë të stërvitjeve fokusi ishte tek loja sulmuese dhe presingu ndaj kundërshtarit për ta vënë në siklet si dhe gjuajtjet e lira. Trajneri dhe disa nga futbollistët pas stërvitjeve deklaruan:
Muharrem Sahiti, trajner
Kemi një atmosferë jashtëzakonisht të mirë për punë. Grupi po funksionon mirë dhe në harmoni. Provuam lojë kryesisht sulmuese dhe presing të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit. Do të vazhdojmë të punojmë edhe në ditët në vijim me përkushtim, në mënyrë që të kundërvihemi me sukses letonezëve.
Vedat Muriqi, futbollist
K a arritur momenti që të shënojmë fitore dhe për këtë po punojmë me përkushtim. Si grup po angazhohemi që sa më mirë të krijojmë lojën tonë që të arrijmë sukses.
Bernard Berisha, futbollist
Jam në formë të mirë dhe besoj se do të jap maksimumin në këtë ndeshje. Jemi të përkushtuar dhe atmosfera që kemi brenda grupit na bën që të besojmë në fitore, aq më parë që kemi rastin këtë ta bëjmë para adhuruesve tanë.