10 shkurt, 2019 – Vëllaznimi është kualifikuar në gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës, duke e mposhtur Dritën, me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjakovë, duke e përsëritur suksesin e vitit të kaluar kur gjakovarët pikërisht në këtë fazë të garave e kishin mposhtur skuadrën gjilanase, por atëherë pas serisë së penalltive. Golin e fitores për kuqezinjtë e realizoi Tun Bardhoku, në minutën e 42-të me gjuajtje të fortë nga 15 metra. Në anën tjetër futbollistët e Dritës patën disa mundësi të mira shënimi, ku veçojmë rastin e minutës së 90-të (+3), kur Kyrian Nwabueze nuk arriti të shënojë i vetëm para portierit Altik Muhaxhiri.  Ndërkohë, në gjysmëfinale ka kaluar edhe Ballkani, por vetëm pas vazhdimeve në duel me Kikën, në Gjilan. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll pa gola, derisa në vazhdime kalimin në gjysmëfinale skuadrës nga Theranda ia siguroi Edi Maksutaj, me golin e shënuar në minutën e 115-të.
Ndërkaq, në ndeshjen e fundit, Trepça’89 ka arritur ta eliminojë Prishtinën, në stadiumin “Fadil Vokrri”.  Ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll 0:0, derisa në serinë e penalltive mitrovicasit ishin më efikas duke fituar 5:4.