Komisioni i Garave i Ligës së Parë të Kosovë në futboll në përbërje Ismet Ahmeti, Isuf Ajeti e Abdyl Bellopoja, me rastin e regjistrimit të ndeshjeve ka konstatuar se KF Vllaznia (P) ka ushtruar ankesë në parregullsinë e ndeshjes së Ligës së Parë ndërmjet KF 2 Korriku – KF Vllaznia P, andaj konform nenit 60, Paragrafi 6, të Propozicioneve të Garave e nxori këtë:
V E N D I M
Miratohet ankesa e KF “Vllaznia” Pozharan si e bazuar dhe ndeshja e javës së 20-të në Ligën e Parë ndërmjet KF “2 Korriku” – KF “Vllaznia” (P) regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Vllaznia” nga Pozharani.
ARSYETIM
Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF “2 Korriku” – KF “Vllaznia” (P), e vlefshme për javën e 20-të të Ligës së Parë, konstatoi se KF “Vllaznia” (P) ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes në protokoll të lojtarit të KF “2 Korriku” me nr 9, Zenel Janevaliu, me nr ID 002039M95 për shkak se lojtari është aktivizuar në lojë nga fillimi i ndeshjes por i njëjti nuk ka qenë i shënuar në protokollin e ndeshjes.
Gjatë administrimit të provave Komisioni i Garave ka konstatuar se: ankesa është e afatshme, e lejuar e taksuar dhe i përmbush të gjitha kushtet për shqyrtim dhe vendimmarrje nga Komisioni i Garave, por për të nxjerr një vendim lidhur me ankesën Komisioni i Garave e ka paraparë si të domosdoshme që nga personat zyrtarë të ndeshjes dhe të delegatit të sjellin dëshmi plotësuese të cilat janë sjell te Komisioni në afatin e përcaktuar.
Pas administrimit të të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se:
Faqja e parë e protokollit e përpiluar para ndeshjes nuk ka qenë e nënshkruar nga delegati dhe dy përfaqësuesit zyrtarë të ndeshjes, por nga raporti plotësues i delegatit dhe përfaqësuesit zyrtar të KF “2 Korriku” është konfirmuar-pranuar se protokolli i ndeshjes është përmirësuar në min 10-11 të ndeshjes dhe është shënuar emri i lojtarit me nr 9, Zenel Janevaliu, duke vlerësuar se është bërë një lëshim teknik, por për Komisionin e Garave ky nuk është lëshim teknik por është shkelje esenciale e normës juridike, që është shprehur dhe përcaktuar shumë qartë në nenin 76, paragrafi 3, pika 7, të Rregullores së Garave.
KF “2 Korriku” ka luajtur me lojtarin i cili nuk është shënuar në protokoll para fillimit të ndeshjes por i njëjti është shënuar në protokollin e përmirësuar në min 10-11 pas fillimit të ndeshjes. Përmirësimi i protokollit nuk mund të bëhet pas fillimit të ndeshjes, një gjë të tillë nuk mund ta bëjë as delegati e as Komisioni i Garave nëse prek në çështje substanciale të protokollit, e të cilin veprim rreptësisht e parandalon neni 76, paragrafi 3, pika 7 i Rregullores së Garave, andaj, miratohet ankesa e KF “Vllaznia” (P) si e bazuar dhe ndeshja e javës së 20-të e Ligës së Parë të Kosovës ndërmjet KF “2 Korriku” – KF “Vllaznia” (P) regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Vllaznia” (P).
Po ashtu Komisioni i Garave konform nenit 76 i Rregullores së Garave, paragrafi 4, përveç regjistrimit të ndeshjes me rezultat zyrtar inicion procedurë disiplinore edhe kundër kryetrajnerit, lojtarit si dhe përfaqësuesit zyrtar të KF “2 Korriku”.
Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.