Komisioni i  Garave i Ipko Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës në futboll në përbërje Ismet Ahmeti, Isuf Ajeti, Abdyl Bellopoja me rastin e regjistrimit të ndeshjeve të javës së 21-të të Ligës së Parë,  konstatoi se KF “Bashkimi” (K), ka ushtruar ankesë për ndeshjen KF “Besa” – KF “Bashkimi” (K), andaj, në bazë të nenit 63 të Propozicioneve të Garave e nxori këtë:

V E N D I M

Refuzohet ankesa e KF “Bashkimi” (K) si e pabazuar dhe ndeshja e javës së 21-të e Ligës së Parë të Kosovës ndërmjet KF Besa – KF Bashkimi (K), regjistrohet me  rezultatin e arritur në fushë 1-0 në favor të KF “Besa” nga Peja.

ARSYETIM

Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF “Besa” – KF “Bashkimi” (K) e vlefshme për  javën e 21-të të Ligës së Parë, konstatoi se KF “Bashkimi” (K) ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të KF “Besa”, Robert Gjeraj me nr . lic 22  dhe nr ID 000162M84  për shkak se lojtari është aktivizuar në lojë pas  4 kartonëve të verdhë.

Gjatë administrimit të provave KG  ka konstatuar se: Ankesa është e afatshme, e lejuar e taksuar dhe i  përmbush të gjitha kushtet për shqyrtim dhe vendimmarrje nga KG .

Pas shikimit dhe verifikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve, KG ka vërtetuar se lojtari i lartpërmendur ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë në javën e 4, javën e 5, javën e 10 dhe javën e 13, në Superligën e Kosovës si lojtar i KF “Liria”, pastaj ka pushuar në javën e 14, andaj nuk  kemi shkelje të propozicioneve të garave, përkatësisht neni 53 paragrafi 1, prandaj  ankesa REFUZOHET si e pabazuar dhe ndeshja regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, 1-0 për KF “Besa”.

Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

 

KËSHILLË JURIDIKE: Pala e pa kënaqur ka të drejtë ankese në afatin prej 8 (tetë) ditëve, nga dita e pranimit të vendimit, Organit të shkallës së dytë (Komisionit për ankesa, sipas  procedurës së paraparë më Propozicionet e Rregulloret e FFK-së). Publikimi bëhet në faqen zyrtare të FFK-së, dt. 02.04.2019.

 

FEDERATA E FUTBOLLIT E KOSOVËS
Kryetari i Komisionit të Garave
Ismet Ahmeti