Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, në përbërje Sitki Baftiu kryetar dhe Remzi Azemi dhe Dren Paca anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 01.03.2021 shqyrtoi ankesën e KF “Drenica“ nga Skenderaj, e cila kishte atakuar vendimin e Komisionit Disiplinor i shkallës së parë të datës 26.02.2021, i cili kishte vendosur që ndaj KF “Drenica“ të shqiptojë dënimin në të holla më shumë prej 1000 euro për lëshim në organizim të ndeshjes së xhiros XX të Superligës së Kosovës, Drenica – Besa, e zhvilluar me datë 25.02.2021 në terrenin me bari sintetik në Drenas.

Komisioni disiplinor i shkallës së parë, me datë 26.02.2021 kishte shqiptuar dënimin me ndalesë të ushtrimit të funksionit të trajnerit dhe detyrave të tjera në klub me tri ndeshje zyrtare ndaj Skender Mustafa , ndihmës trajner i KF “ Drenica” nr ID 010189M66  me procedurë të iniciuar nga Komisioni i Garave për ndëshkim me karton të kuq në ndeshjen e lartë cekur.

Komisioni disiplinor i shkallës së parë, me datë 26.02.2021 kishte shqiptuar dënimin me ndalesë të ushtrimit të funksionit të trajnerit dhe detyrave të tjera në klub me dy ndeshje zyrtare ndaj Bledar Devollit, kryetrajner i KF “ Drenica”, me nr ID 009906M78  në procedurë të iniciuar nga Komisioni i Garave për sjellje jo sportive në ndeshjen Drenica – Besa.
VENDIM

Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë në mbledhjen e mbajtur më datë 01.03.2021 pas shqyrtimit të të gjitha shkresave dhe argumenteve vendosi që vendimi i Komisionit disiplinor të shkallës së parë të datës 26.02.2021 të mbetet në fuqi. Kësisoj, ankesa e KF”Drenica“ nga Skenderaj refuzohet si e pabazuar si dhe dënimet e shqiptuara nga Komisioni Disiplinor i shkallës së parë mbeten në fuqi ndaj KF “Drenica“ Skenderaj dhe dy zyrtarëve Bledar Devolli kryetrajner dhe Skënder Mustafa ndihmës trajner në KF “Drenica“.

 

Arsyetim

Komisioni për Ankesa si organ i shkallës së dytë me rastin e shqyrtimit të ankesës së ushtruar nga KF “Drenica“ Skenderaj, nga ana e palës së ankimuar lidhur me rastin e apostrofuar, Komisioni mori për bazë raportet dhe provat e ofruara nga ana e shërbimit administrativ të Federatës së Futbollit të Kosovës , pastaj të Komisionit të Garave lidhur me rastin në fjalë si dhe protokollin e ndeshjes, po ashtu edhe raportet e zyrtarëve –delegatit dhe shkresat tjera plotësuese dhe nga të njëjtat konstatoj se Komisioni Disiplinor i shkallës së parë ka vepruara drejt dhe me përpikëri në zbatimin e dispozitave juridike nga neni 67 paragrafi 1,2, dhe pika 3 e Rregullores disiplinore.

 

Këshilla Juridike

Pala e pakënaqur në këtë vendim ka të drejtë ankese drejtuar Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës në mbrojtje të Rregullores (ligjshmërisë në afatin kohor prej tetë ditëve nga data e pranimit të këtij vendimi).

 

Prishtinë, 01.03.2021                        Sitki Baftiu – kryetar

Remzi Azemi – anëtar

Dren Paca – anëtar