Me datë 04.04.2024 KF “Istogu” ka ushtruar ankesë në procedurë të rregullt në shkallën e dytë të FFK-së, gjegjësisht Komisionit për Ankesa ku janë plotesuar të gjitha kushtet për shqyrtimin e kësaj lënde.
Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, në përbërje Haki Xhemjali kryetar, Sitki Baftiu dhe Remzi Azemi anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 11.04.2024 shqyrtoi ankesën e KF “Istogu”, me nr Reference 1539/1, ku atakohet vendimi i Komisionit të Garave të Superligës dhe Ligës së Parë. Komisioni për Ankesa pas shqyrtimit te lëndës duke trajtuar me kujdes të gjitha shkresat dhe aktet normative ne fuqi në mënyrë unanime nxjerri këtë:

V E N D I M

Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë vërteton se vendimi i Komisionit të Garave të Superligës dhe Ligës së Parë i datës 02.04.2024, është i drejtë, me të cilën ndeshja ndërmjet Istogut dhe Rahovecit, regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, ndërsa ankesa e KF “Istogu” refuzohet si e pabazuar.

ARSYETIM

KF “Istogu’ ka atakuar vendimin e shkallës së parë gjëgjësisht vendimin e Komisionit të Garave të Superligës dhe Ligës së Parë , me të cilin vendim ndeshja e xhiros së 20-të e Ligës së Parë Grupi A ndërmjet Istogut dhe Rahovecit regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë 2:2. Në ankesen e proceduar nga KF “Istogu’, pretendohet se lojtari i KF “Rahoveci“, Muhamet Shehu me nr fanelle 5 dhe nr ID 001944M87, nuk ka pasur të drejtë loje në xhiron e 20-të pasi që i njëjti ka qenë i ndëshkuar me katër (4) kartonë të verdhë. KF “Istogu“ pretendon se gabimi i lëshuar në protokol në ndeshjen e xhiros së parë është dashur të përmirësohet brenda afatit prej 48 orë.
Pas analizimit me kujdes të ankesës, dokumentacionit që i është bashkangjitur ankesës dhe të dhënave zyrtare, Komisioni i Ankesave ka konstatuar se lojtari i KF “Rahoveci” , Muhamet Shehu ka pushuar në javën e 17-të. Pas përfundimit të xhiros së 16-të KF “Rahoveci“ ka proceduar kërkesë me shkrim për sqarim në adresën kompetente te FFK. Organi kompetent i FFK-së ka dhënë përgjegje zyrtare që lojtari në fjalë ka katër (4) kartonë të verdhë dhe duhet të pushojë në xhiron e 17-të, gjë që edhe ka ndodhur.
Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë ka konsultuar organin kompetent dhe i njëjti konfirmon se ka pasur komunikim me të dyja klubet për këtë çështje dhe përgjigjen zyrtare ua ka dhënë të dy klubeve. KF “Rahoveci” (përgjigje me shkrim) para xhiros së 17-të dhe KF “ Istogu” konfirmim përmes telefonit që gabimi teknik i xhiros së parë është përmirësuar para xhiros së 17-të nga Komisioni i referimit dhe KF “Rahoveci” para lojës së xhiros së 20–të i është konfirmuar me shkrim se lojtari i KF “Rahoveci“ me nr 5 Muhamet Shehu nuk ka asnjë pengesë për t’u paraqitur në xhiron e 20-të.

Këshilla Juridike:
Pala e pakënaqur në këtë vendim ka të drejtë ankese drejtuar Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës në mbrojtje të Rregullores (ligjshmërisë) në afatin kohor prej tetë ditëve nga publikimi i vendimit në web faqen zyrtare të FFK-së.

Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë
Haki Xhemajli – kryetar
Prishtinë: Datë: 11.04.2024