Komisioni i Garave për Superligë dhe Ligë të Parë, në mbledhjen e vet të mbajtur me datë 05.05.2021, shqyrtoi ankesën e KF Dukagjini, të parashtruar me datë 02.05.2021, lidhur me ndeshjen e zhvilluar me 01.05.2021, ndërmjet KF Vushtrria dhe KF Dukagjini, dhe pas administrimit të gjitha shkresave në ankesë, konform nenit 62 të propozicioneve të garave, mori këtë:
V E N D I M
1.Refuzohet si e pabazuar ankesa e KF Dukagjini nga Klina dhe ndeshja e javës së 25-të, Liga e parë, Grupi ”A”, KF Vushtrria – KF Dukagjini, regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, 3:1 në favor të KF Vushtrria.
A R S Y E T I M
KF Dukagjini më 02.05.2021, ka ushtruar ankesë në Komisionin e Garave të FFK-së për shkak të parregullsisë së paraqitjes (aktivizimit) të lojtarit të KF Vushtrria, Adnard Mehmeti me nr.11, ID.nr.007369M01, në ndeshjen e javës së 24-të në mes të KF Malisheva – KF Vushtrria si dhe në ndeshjen e javës së 25-të, KF Vushtrria – KF Dukagjini.
KF Dukagjini si palë ankimore po ashtu ka pretenduar se janë shkelur rregulloret e FFK-së me evidentimin në protokollin zyrtar të ndeshjes dhe ka kërkuar që të dihet nëse dy lojtarët e evidentuar në protokoll kanë pasur leje speciale mjekësore për lojë:
1. Olti Peci me ID.nr.006834M04
2. Adnit Shahini, ID.nr.005445M04.
KF Dukagjini ka kërkuar që ankesa e tyre të miratohet dhe ndeshja e javës së 25-të në mes të KF Vushtrria – KF Dukagjini, të regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Dukagjinit.
Gjatë administrimit të ankesës dhe shkresave, Komisioni i Garave ka konstatuar se: Ankesa është e afatshme, e lejuar dhe i përmbushë kriteret për administrim dhe vendimmarrje.
Pretendimet e palës ankimore në ushtrimin e ankesës kanë të bëjnë për javën e 24-t dhe javën e 25-të, e që defakto paraqesin paqartësi gjatë administrimit të procedurës dhe vendimmarrjes, sepse java e 24-t është zhvilluar dhe ndeshjet janë regjistruar në pajtueshmëri me nenin 69 dhe 70 të Rregullores së Garave.
Sipas nenit 56, paragrafi 1 të propozicioneve të garave: lojtari i ndëshkuar me katër (4) kartonë të verdhë, pushon automatikisht në javën e radhës. Për aktivizimin e lojtarit në lojë i cili nuk ka pas të drejtë loje, palët që kanë pas interes është dashur që përmes ankesës të kërkojnë zbatimin e nenit 62 të Rregullores së garave.
Sipas nenit 14, paragrafi 1 të Rregullores disiplinore: Dënimi pushon automatikisht pas ndeshjes kampionale apo të kupës, në të cilën lojtari ka pauzuar, por edhe në rastet kur lojtari i cili gjendet nën masën e dënimit është paraqitur në ndeshje (pa të drejtë loje), mirëpo, hapet procedura ndaj tij dhe klubit.
Në bazë të nenit 12, paragrafi 3 të Rregullores disiplinore: Lojtari i dënuar me ndalesë në lojë në numër të caktuar të ndeshjeve kampionale dhe për kupë, nuk mund të paraqitet vetëm në ato ndeshje të cilat i përfshin ai dënim.
Ajo masë ndëshkuese-dënim për Adnar Mehmeti, ka qenë vetëm për javën e 24-t, konform nenit 56, paragrafi 1 të propozicioneve të garave.
Pretendimi i dytë i palës ankimore se dy lojtarët e evidentuar në protokollin zyrtar të ndeshjes KF Vushtrria – KF Dukagjini, java e 25-të, nuk kanë pasur paraqitje të rregullt (aktivizim), por një pretendim i tillë nuk është i bazuar, sepse, neni 58, paragrafi 2 i Rregullores disiplinore, në mënyrë të qartë e përkufizon këtë çështje: Se me shprehjen paraqitje në kuptim të këtij neni (58), nuk nënkupton lojtarët rezervë të shënuar në protokoll dhe të cilët nuk kanë hyrë në lojë.
Komisioni i Garave pas administrimit të ankesës dhe shkresave, konstatoj se ankesa e KF Dukagjini është e pabazuar dhe të njëjtën e refuzon, ndërkaq ndeshjen e javës së 25-të KF Vushtrria – KF Dukagjini e regjistron sipas rezultatit të arritur në fushë 3:1 në favor të KF Vushtrria.
Nga theksimet e lartcekura u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.
Këshillë juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi tek Komisioni i Apelit i FFK-së, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare të FFK-së, apo datës së dërgimit në e-mailin e klubit.
Me respekt,
Federata e Futbollit e Kosovës
Komisioni i Garave i FFK-së
Abdyl Bellopoja, kryetar