Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës në futboll në përbërje Abdyl Bellopoja, Isak Ejupi, Agim Kastrati, me rastin e regjistrimit të ndeshjeve të 1/16 të Kupës së Republikës së Kosovës, konstatoi se FK Behar nga Vitomirica ka ushtruar ankesë dhe Komisioni i Garave konform nenit 70 të Rregullores së Garave e mori këtë:
V E N D I M
Miratohet ankesa e FK Behar e bazuar dhe ndeshja e 1/16 të Kupës së Kosovës në mes të FK Behar – FC Ferizaj, e përfunduar me rezultat 2:3, në favor të FC Ferizaj, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të FK Behar.
ARSYETIM
Komisioni i Garave, me rastin e regjistrimit të ndeshjes FK Behar–FC Ferizaj e vlefshme për 1/16 të Kupës së Republikës së Kosovës, konstatoi se FK Behar ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të FC Ferizaj: EdonSadriu me nrlic 8 dhe nr ID 000542M97, për shkak se lojtari është aktivizuar në ndeshje pasi që paraprakisht ishte i ndëshkuar me 2 kartonë të verdhë.
Gjatë administrimit të ankesës dhe shkresave të tjera nga ana e Komisionit të Garave u konstatua se: Ankesa është e afatshme, e lejuar e taksuare dhe i përmbush të gjitha kushtet për shqyrtim dhe shtjellim nga Komisioni i Garave.
Pas shikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve të Kupës të edicionit 2021/2022, KG ka vërtetuar se lojtari i lartpërmendur ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë në gjysmëfinalen e parë: FC Prishtina – FC Llapi, e zhvilluar me datë 07.04.2022, si dhe në finale të Kupës së Kosovës, Fc Drita – Fc Llapi, e zhvilluar me datë 26.05.2022 dhe i njëjti është dashur të pushojë në 1/16 të ndeshjeve të Kupës së Republikës së Kosovës, por të njëjtën nuk e ka respektuar dhe ky është paraqitur në ndeshjen FK Behar – FC Ferizaj, e zhvilluar më 17.11.2022, andaj kemi shkelje të nenit 56 paragrafi 4 të Propozicioneve të Garave: Dënimi automatik për shkak të dy vërejtjeve publike (kartonëve të verdhë) në ndeshjet për Kupën e Kosovës do të ekzekutohet në ndeshjen e parë të radhës për Kupën e Kosovës dhe i cili detyrim nuk është respektuar nga lojtari, prandaj edhe ankesa miratohet si e bazuar dhe ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 3-0 në favor të FK Behar.
Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në diapozitiv të këtij vendimi.
KËSHILLË JURIDIKE:
Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afatin prej 8 (tetë) ditëve, nga dita e pranimit të Vendimit, Organit të shkallës së dytë (Komisionit për ankesa, sipas procedurës së paraparë me Propozicione e Rregullore të FFK-së). Publikimi bëhet në faqen zyrtare të FFK-së, dt. 21.11.2022.
FEDERATA E FUTBOLLIT E KOSOVËS
Kryetari i Komisionit të Garave
Abdyl Bellopoja