Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në përbërje; Metë Çeku – kryetar, Dukagjin Zefi, Avni Shala dhe Donat Lushaku – anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 23.02.2024 shqyrtoi procedurat e hapura nga Komisioni i Garave pas përfundimit të ndeshjeve të xhiros së 21-të të Albi Mall Superligës edicioni 2023-2024. Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve dhe incizimeve televizive mori këto:

V E N D I M E :

Lojtari i KF ”Liria”, Ermir Abazi nr fanelle 15 dhe ID.014773M02. Pas shënimit të golit nga penalltia nga vendasit në min 90+, ofendon gjyqtarin kryesor të ndeshjes, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Dukagjini-Liria. Bazuar në nenin 40 paragrafi 1 pika D të Rregullores disiplinore; Dënohet me 2 (dy) ndeshje mos lojë sipas radhës organizuar nga FFK.

Hapje e Procedurës:
FC “Prishtina“. Lëshim në organizimin e ndeshjes: Nuk siguron mbledhësit e topave (fëmijët) para gjatë dhe deri në përfundimin e ndeshjes, sipa rregullores së garave. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Prishtina –Malisheva. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore kërkohet deklaratë shtesë nga personi për siguri i FC “Prishtina“. Afati datë 27.02.2024 ora 13:00.

FC ”Drita”. Lëshim në organizimin e ndeshjes. Në min 84-të, pas ndëshkimit të kryetrajnerit të ekipit vendas Zekirja Ramadani, është hedhur një shishe PVC e zbrazët në fushën e lojës, ndërsa pak para përfundimit të ndeshjes, nga publiku hudhen 2-3 topa në fushën e lojës. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Drita –Ballkani dhe xhirimeve televizive. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore kërkohet deklaratë shtesë nga personi për siguri i FC “Drita“. Afati datë 27.02.2024 ora 13:00.

Kryetrajneri i FC ”Drita”, Zekirja Ramadani nr ID001422M78. Në prononcimin për media pas përfundimit të ndeshjes, akuzon gjyqtarët për referim skandaloz dhe dëmtimin e ekipit të tij. Sipas xhirimeve televizive. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore kërkohet deklaratë shtesë nga kryetrajneri i FC “Drita“, Zekeria Ramadani. Afati datë 27.02.2024 ora 13:00.

Kryetari i FC ”Ballkani”, Arsim Kabashi. Pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes, derisa gjyqtarët ishin në zhveshtoren e tyre, hynë edhe pse nuk ishte i evidentuar në protokolin zyrtar të ndeshjes dhe kishte kërkuar sqarime lidhur me ndërprerjen e një akcioni të mysafirve dhe e kishte kërcënuar gjyqtarët: ”Në pjesën e dytë do ta shihni nëse më dëmtoni”. Pas këtij kërcënimi gjyqtari kryesor kishte kërkuar nga policia largimin e tij nga zhveshtorja e gjyqtarëve. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor dhe delegatit të ndeshjes Drita-Ballkani. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore kërkohet deklaratë shtesë nga kryetari i FC ”Ballkani”, Arsim Kabashi. Afati datë 27.02.2024 ora 13:00.

Delegati i ndeshjes Drita–Ballkani , Agim Hasani. Pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes, derisa gjyqtarët ishin në zhveshtoren e tyre, lejon kryetarin e ekipit mysafir të FC ”Ballkani” Arsim Kabashi, të hynë në zhveshtore edhe pse nuk ishte i evidentuar në protokolin zyrtar të ndeshjes dhe kishte kërkuar sqarime dhe e kishte kërcënuar gjyqtarin kryesor. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor dhe delegatit të ndeshjes Drita-Ballkani. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore kërkohet deklaratë shtesë nga delegati i ndeshjes Drita-Ballkani, Agim Hasani. Afati datë 27.02.2024 ora 13:00.

KËSHILLA JURIDIKE
Pala e pakënaqur në këto vendime ka të drejtë në ushtrimin e ankesës drejtuar Komisionit Disiplinor të shkallës së dytë – Komisionit për Ankesa në afatin kohor prej; 8 (tetë) ditësh nga data e sjelljes së këtij vendimi; datë 23.02.2024, respektivisht publikimit në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ankesa e ushtruar nga ana e palës së ankimuar nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.

Prishtinë, datë 23.02.2024
Komisioni disiplinor; shkalla e parë
Kryetar: Metë Çeku