Komisioni i Garave i IPKO Superligës dhe Ligës së Parë në përbërje: Abdyl Bellopoja, Isak Ejupi dhe Agim Kastrati në mbledhjen e mbajtur më datën 25.11.2019, lidhur me regjistrimin e ndeshjeve të IPKO Superligës dhe Ligës së Parë për Kampionatin 2019/2020, administroi tërë materialin e prezantuar nga zyrtarët e ndeshjeve, andaj bazuar në nenin 75 të Rregullores së Garave, si dhe dispozitave të Rregullores Disiplinore, në bazë të autorizimeve që ka mori këto:

 

V E N D I M E

 

1.Regjistrohen ndeshjet e javës së 16-të të IPKO Superligës dhe ndeshjet e javës së 15-të të Ligës së Parë të Kosovës në futboll për edicionin 2019/2020 me rezultatet e arritura në fushë.

 

2.Duke i shqyrtuar dhe analizuar raportet e delegatëve, kontrollorëve si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i Garave duke u bazuar në raportet e zyrtarëve të FFK-së dhe pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive dhe (raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mjeteve të informacionit) gjeti prova për

 

Inicime disiplinore

 

-ndaj FC “Prishtina”, për shkak se në minutën e 50-të dhe 90+3 në ndeshjen Prishtina – Trepça’89, tifozët vendas ”Plisat”, ofendojnë në kor ekipin mysafir të Trepçës ‘89.

 

-ndaj kryetrajnerit të KF “Ballkani”, Ismet Munishi, për shkak se në minutën e 85-të të ndeshjes Ballkani – Gjilani, është ndëshkuar me karton të kuq direkt, për shkak të ofendimeve dhe provokimit ndaj lojtarit kundërshtar.

 

-ndaj kryetrajnerit të KF “Llapi”, Tahir Batatina, me ID.nr.001144M77, për shkak se pas përfundimit të ndeshjes në deklaratë për media u shpreh: ”Ky ishte referimi më skandaloz që nga paslufta”, duke komentuar në mënyrë të pa autorizuar referimin në ndeshjen Drita – Llapi.

 

-ndaj lojtarit të Trepçës me nr.fanelle 26, Geart Latifi, për shkak se në minutën e 59-të pas shënimit të golit të tretë të vendasve, vërsulet drejt referit kryesor të ndeshjes, ofendon rënd dhe e kap për dore të njëjtin, për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt, në ndeshjen Istogu – Trepça.

 

-ndaj kryetarit të KF “KEK”-u, Besnik Mjeku, për shkak se pas përfundimit të ndeshjes hyn në fushë, i shan referët e ndeshjes dhe tenton t’i godas me top në ndeshjen KEK-u – Besa.

Komisioni i Garave shqyrtoi edhe kërkesat e KF “Minatori” dhe KF “Vëllaznimi” dhe mori këto vendime:

 

1.Pas shqyrtimit të kërkesës së KF “Minatori, në mungesë të kushteve infrastrukturore në Magurë, ka pranuar kërkesën dhe ndeshja e rrethit të dytë të Digitalb Kupës së Kosovës ndërmjet KF “Minatori” dhe FC “Prishtina” do të zhvillohet në stadiumin ”Fadil Vokrri” në Prishtinë, me datën 27.11.2019, ora 12:30.

 

2.Pas shqyrtimit të kërkesës së KF “Vëllaznimi” që ndeshja e rrethit të dytë të Digitalb Kupës së Kosovës, ndërmjet KF “Vëllaznimi” dhe KF “Ferizaj” të zhvillohet në Ferizaj dhe shpenzimet e ndeshjes t’i bartë KF “Ferizaj”, Komisioni i Garave ka marrë vendim që ndeshja të zhvillohet me datën 27.11.2019, ora 12:30, në Ferizaj.

 

Këshilla juridike:

 

Pala e pakënaqur ka të drejtën e kundërshtimit në inicime-raporte/ankesës në Vendime tek Komisioni Disiplinor i FFK-së/ Komisioni i Apelit i FFK-së, në bazë të nenit 85, pika 3, e Rregullores së Garave, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij Inicimi/vendimi në faqen zyrtare të FFK-së, apo datës së dërgimit në emailin e klubit.

 

Me respekt

Komisioni i Garave i FFK-së

Abdyl Bellopoja