Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë në përbërje Abdyl Bellopoja kryetar, Isak Ejupi dhe Agim Kastrati anëtarë në mbledhjen e mbajtur me datë 18.10.2021, ka diskutuar për regjistrimin e ndeshjeve të xhiros së nëntë të BKT Superligës dhe ndeshjeve të xhiros së tetë të VIVA FRESH Ligës së Parë, Grupi A dhe Grupi B në futboll për edicionin 2021/2022. Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve, bazuar në nenin 69 të Rregullores së Garave, si dhe dispozitave të Rregullores Disiplinore, mori këto:

V E N D I M E

1.Regjistrohen ndeshjet e xhiros së nëntë të BKT Superligës dhe ndeshjeve të xhiros së tetë të VIVA FRESH Ligës së Parë, Grupi A dhe Grupi B në futboll për edicionin 2020/2021 me rezultatet e arritura në fushë.

2.Bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i garave pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mediave vendosi për:

Inicime disiplinore

ndaj: KF ”Drenica”. Motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes Drenica-Feronikeli, e cila ka filluar me dhjetë (10) minuta vonesë për shkak të mungesës së autoambulancës. Në min.25, hidhet një fishekzjarr në fushën e lojës. Pas përfundimit të pjesës së parë, tifozët vendas ofendojnë në kor lojtarët e ekipit të Feronikelit. Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes dhe xhirimit televiziv.

ndaj: Nd.trajnerit të FC ”Prishtina” Debatik Curri me nr ID.000624M83; Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes Prishtina-Llapi, gjatë largimit nga fusha ofendon dhe fyen rëndë asistentin e dytë. Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes.

ndaj: Përfaqësuesit zyrtar të FC ”Prishtina” Kushtrim Sopa me nr ID.020174M87. Motivi: Në minutën e 90+, godet me grusht bankinën e delegatit të ndeshjes duke e dëmtuar atë. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Prishtina-Llapi.

ndaj: Lojtarit të KF ”Malisheva” Ardian Hoti me nr ID.000887M96. Motivi: Ndërhyrje e palejuar si lojtar i fundit me ç’rast ishte ndërshkuar nga gjyqtari me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Dukagjini-Malisheva.

ndaj: Lojtarit të SC ”Gjilani” me nr fanelle 23 Besar Musolli dhe nr ID.020561M89; Motivi: Ndërhyrje e rrezikshme, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Gjilani-Ballkani.

ndaj: KF ”Vushtrria”. Motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes së VIVA FRESH Ligës së Parë Grupi ”B”, Vushtrria-Arbëria. Sharje gjatë tërë ndeshjes nga ana e një grupi të tifozëve vendas ndaj ekipit mysafir. Pas barazimit të rezultatit nga nikoqirët , tifozët vendas ishin shumë agresiv ndaj bankinës mysafire, për çka referi kryesor kishte kërkuar zbrazjen e tribunës perendimore, për të krijuar kushte për vazhdimin e pjesës së mbetur të ndeshjes. Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes dhe xhirimit televiziv.

ndaj: Lojtarit të KF ”ONIX ”me nr fanelle 12 Armend Rugji dhe nr ID.001266M85. Motivi: Në minutën 65 e kap me dy duart dhe e shtyn gjyqtarin kryesor, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes së VIVA FRESH Ligës së Parë Grupi ”A” Onix-Istogu.

Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e kundërshtimit në inicime-raporte / ankesës në vendimet të Komisioni Disiplinor i FFK –së / Komisioni i Apelit i FFK-së, në bazë të nenit 85, pika 3 e Rregullores së Garave, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij Inicimi/vendimi në faqen zyrtare të FFK-së, apo datës së dërgimit në emailin e klubit.

Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë
Abdyl Bellopoja, kryetar
Prishtinë 18.10.2021