Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë në mbledhjen e mbajtur me 17.10.2022, ka diskutuar për regjistrimin e ndeshjeve të xhiros së 11-të të Albi Mall Superligës dhe ndeshjeve të xhiros së 9-të të Viva Fresh Ligës së Parë, Grupi A dhe Grupi B, në futboll për edicionin 2022/2023. Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve, bazuar në nenin 70 të Rregullores së Garave, si dhe dispozitave të Rregullores Disiplinore, mori këto:
V E N D I M E
1.Regjistrohen ndeshjet e xhiros së 11-të të Albi Mall Superligës dhe ndeshjet e xhiros së 9-të të Viva Fresh Ligës së Parë, Grupi A dhe Grupi B në futboll për edicionin 2022/2023, me rezultatet e arritura në fushë.
2.Bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i Garave pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mediave vendosi për:
Inicime disiplinore:
Ndaj: FC Drenica. Motivi: Në minutën e 90+, pas një zënke të ndihmëstrajnerit të FC ”Drenica”, Bekim Xani dhe futbollistit të FC ”Ballkani” me nr fanelle 80 Albin Berisha, shikuesit kanë hedhur shishe PVC dhe kanaqe në fushën e lojës (disa nga të cilat të mbushura) në drejtim të bankinës mysafire dhe lojtarëve të Ballkanit në fushë. Po ashtu në minutën e 90-të, skuadra vendase ka tërhequr të gjithë topat e dedikuar për lojë. Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes Drenica-Ballkani.
Ndaj: Ndihmëstrajnerit të FC ”Drenica”, Bekim Xani nr ID.001758M72. Motivi: Në minutat shtesë të ndeshjes (90’+3’), fyen dhe sulmon fizikisht (e kap për fyti) lojtarin kundërshtar. Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes Drenica-Ballkani.
Ndaj: Drejtorit sportiv të FC ”Drita”, Valon Zymberi, ID.013299M84. Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes është futur në fushën e lojës në drejtim të referëve të ndeshjes, të cilët po shkonin drejt zhveshtoreve, i kishte fyer dhe ofenduar ata duke ju thënë: ”Lidhje me referim nuk keni, të gjithë jeni lloma, bërllog e skllotë e keni ba, s’po ju vjen marre, juve ju kanë dërgu me direktiva. Në këtë ndeshje i njëjti nuk ka qenë i evidentuar në protokolin zyrtar, ndërkaq është recidivist i ofendimeve të tilla. Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes Dukagjni-Drita.
Ndaj: Lojtarit të FC ”Ballkani”, Albin Berisha me nr fanelle 80 dhe nr ID.014588M88. MOTIVI: Në minutat shtesë të lojës (90+3), fyen dhe sulmon fizikisht (e kap për fyti) ndihmëstrajnerin e FC ’Drenica’, duke i dalur në ndihmë bashklojtarit të tij të sulmuar paraprakisht. Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes Drenica-Ballkani.
Ndaj: Kryetrajnerit të FC ”Ballkani”, Ilir Daja nr ID.028309M66. Motivi: Në minutën e 90+, e kap për krahu gjyqtarin e katërt dhe e shtërngon me forcë, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes Drenica-Ballkani.
Ndaj: Drejtorit sportiv të KF Rilindja 1974, Tahir Shala nr personal 1009672147. Motivi: Në minutën e 27 të ndeshjes kishte fyer dhe sharë gjyqtarin kryesor dhe asistentin e parë të ndeshjes, për çka është ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raporteve të gjyqtarëve të ndeshjes Rilindja 1974-Phoenix.
Ndaj: Kryetrajnerit të KF ”Vjosa”, Erdin Hashani UEFA B 01166. Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes ka hyrë në fushën e lojës, ka vrapuar në drejtim të gjyqtarit kryesor duke e ofenduar dhe sharë në baza familjare. Edhe pas ndëshkimit me karton të kuq, i njëjti ka vazhduar me ofendime të rënda ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes . Sipas raporteve të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Kika – Vjosa .
Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e kundërshtimit në inicime-raporte / ankesës në vendimet të Komisioni Disiplinor i FFK –së / Komisioni i Apelit i FFK-së, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij Inicimi/vendimi në faqen zyrtare të FFK-së apo datës së dërgimit në emailin e klubit.
Komisioni i Garave i FFK-së
Abdyl Bellopoja, kryetar
Prishtinë 17.10.2022