Komisioni i Garave i Superligës, Ligës së Parë dhe Superligës U21, në mbledhjen e mbajtur me 02.04.2024, ka diskutuar për regjistrimin e ndeshjeve të xhiros së 27-të të Albi Mall Superligës dhe ndeshjeve të xhiros së 20-të të Raiffeisen Ligës së Parë Grupi A dhe B në futboll për edicionin 2023/2024. Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve, bazuar në nenin 70 të Rregullores së Garave, si dhe dispozitave të Rregullores Disiplinore, mori këto:

V E N D I M E

1.Regjistrohen ndeshjet e xhiros së 27-të të Albi Mall Superligës dhe ndeshjeve të xhiros së 20-të të Raiffeisen Ligës së Parë Grupi A dhe B në futboll për edicionin 2023/2024 me rezultatet e arritura në fushë.

2.Bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së si dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve, lidhur me rregullsinë e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të ndeshjeve, Komisioni i Garave pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe mediave vendosi për:

Inicime disiplinore:

ndaj: FC ”Prishtina”. Motivi: Në minutat 25, 28, 47 dhe 48 të ndeshjes së xhiros së 27-të të Albi Mall Superligës, Prishtina – Ballkani, tifozët ndezin dhe hedhin mjete piroteknike, shurdhuese brenda rrethojës së fushës, ndërkaq në min e 79–të të ndeshjes, shajnë dhe ofendojnë në kor gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Prishtina – Ballkani.

ndaj: Menaxherit të KF ”Dukagjini”, Ilir Desku nr ID.015554M85. Motivi: Në min 66-të të ndeshjes së xhiros së 27-të të Albi Mall Superligës, Gjilani – Dukagjini, pengoi lëvizjen e gjyqtarit anësor në vijën kufizuese të fushës dhe në një moment kap për dore, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Gjilani – Dukagjini dhe xhirimeve televizive.

ndaj: KF ”Dinamo”. Motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes. Pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së 20-të të Raiffeisen Ligës së Parë – Grupi A, Dinamo- Suhareka, derisa personat zyrtar nën përcjellje të policisë po shkonin në zhveshtore, në hyrje të tunelit një person i paautorizuar sulmon me grushta gjyqtarin kryesor të ndeshjes duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka është detyruar të shkojë në emergjencë për trajtim mjekësor. Sipas raportit të gjyqëtarit kryesor dhe protokolit zyrytar të ndeshjes Dinamo-Suhareka.

ndaj: Kryetrajnerit të KF ”Flamurtari”, Liridon Leci nr ID-000640M85. Motivi: Pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes së xhiros së 20-të të Raiffeisen Ligës së Parë – Grupi B Flamurtari – Ramiz Sadiku, në zhveshtoret e lojtarëve kryetrajneri i ekipit vendas L.Leci e ka goditur me shkelm lojtarin me nr 6 te ekipit mysafir, për çka është ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Flamurtari – Ramiz Sadiku.

ndaj: Drejtorit sportiv të KF ”Ramiz Sadiku”, Betim Sylejmani nr ID-009997M84. Motivi: Në ndeshjen e xhiros së 20–të të Raiffeisen Ligës së Parë – Grupi B, Flamurtari – Ramiz Sadiku, në min e 53-të pas akordimit te penalltisë për ekipin vendas ndëshkohet me karton të kuq, pas ofendimeve të vazhdueshme në drejtim të gjyqtarit kryesor dhe gjyqtarit të katërt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Flamurtari – Ramiz Sadiku.

Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e kundërshtimit në inicime-raporte / ankesës në vendimet të Komisionit Disiplinor i FFK –së / Komisioni i Apelit i FFK-së, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij Inicimi/vendimi në faqen zyrtare të FFK-së apo datës së dërgimit në emailin e klubit.

Komisioni i Garave i FFK-së
Abdyl Bellopoja, kryetar
Prishtinë, 02.04.2024