20 qershor, 2021 – Në organizim të Komunës së Prishtinës dhe në mbështetje nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe Liga e Veteranëve të Futbollit, sot, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet është zhvilluar ndeshja tradicionale “Loja e Yjeve”. Ky event u organizua në kuadër të aktiviteteve për nder të 22-vjetorit të çlirimit të Prishtinës. Në këtë ndeshje me karakter miqësor dhe argëtues, që u zhvillua dy herë nga 30 minuta, u përballën Veteranët e Kosovës dhe Yjet e Prishtinës, e ku pas një loje interesante dhe argëtuese sfida u mbyll baras 1:1. Të parët në epërsi kaluan Veteranët e Kosovës, me golin e Blerim Haxhollit pas asistimit të Muhamet Dragushës, derisa shifrat u barazuan krejtësisht në fund të ndeshjes, kur Bekim Isufi shënoi autogol pas harkimit të shkëlqyeshëm të Enis Fetahut. Veteranët e Kosovës patën edhe disa mundësi tjera të mira, siç ishte edhe rasti i Lulzim Berishës nga penalltia, por më i merituari që ekipi i Yjeve nuk pësoi më shumë gola ishte ish-portieri i Prishtinës dhe i Kombëtares së Kosovës, Kushtrim Mushica.