23 qershor, 2019 – Në kuadër të turneut të Kupës së Kosovës për Gjermani që u mbajt gjatë dy ditëve në Stukenbrock, sot, u zhvillua edhe ndeshja ndërmjet veteranëve të futbollit të Kosovës dhe veteranëve të futbollit të Diasporës. Kjo ndeshje u mbyll me fitoren e veteranëve të Kosovës, me rezultat 1:0, me golin e shënuar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Në këtë ndeshje luajtën edhe shumë emra të njohur të futbollit si Shukri Paqarada, Xhevdet Muriqi, Isa Sadriu, Eroll Salihu, Besnik Kollari, Roland Duraku, Blerim Rrustemi, Fatmir Namani etj. Ekipin e veteranëve të Kosovës në rolin e trajneres e udhëhoqi Fatmire Musliu, konsulle e përgjithshme e Kosovës në Frankfurt.
Presidenti Ademi ka përgëzuar për organizimin e mirë të këtij aktiviteti Federatën e Futbollit Shqiptar në Gjermani, si dhe klubin fitues të Kupës së Kosovës për Gjermani.
“Ky aktivitet i përvitshëm është një mundësi e mirë që shqiptarët të jenë së bashku, por njëherësh që edhe klubet shqiptare të futbollit të shfaqin nivelin e tyre të organizimit dhe të synojnë fitimin e trofeut. Së bashku do të vazhdojmë me krenari e përgjegjësi drejt sukseseve të reja”, ka thënë presidenti Ademi.
Për punën e mirë në këtë turne organizatorët i përgëzoi edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili u shpreh i lumtur që së bashku me shumë ish-bashkëlojtarë patën mundësi të luajnë edhe një ndeshje revyale, duke i rikujtuar kësisoj ditët e lavdishme të gjeneratës së artë të Prishtinës. Njëherësh, ai, e uroj klubin fitues të Kupës së Kosovës për Gjermani dhe i shprehu mirëseardhje në Kosovë për të luajtur ndeshje me fituesin e Kupës së Kosovës.
Në finalen e Kupës së Kosovës për Gjermani, Kosova Munchen fitoi pas penalltive ndaj FC Kastrioti, me rezultat 3:1.