7 gusht, 2017 – Në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin e ri, sot, u mbajt një seminar me vëzhguesit e futbollit, ku për temat e ndryshme folën Ismet Ahmeti me anëtarët e Komisionit të Garave, Isuf Ajeti e Sahit Kelmendi si dhe Ejup Osmani zyrtar për integritet. Kryetari i Komisionit të Garave Ismet Ahmeti ua rikujtoi edhe një herë vëzhguesve rolin e tyre në ndeshje aq më parë që tashmë në ndeshje është edhe gjyqtari i katërt, i cili përkujdeset për bankina dhe për çështjet tjera. Tash u bëhet me dije klubeve përmes vëzhguesve që duhet të kenë barelat dhe katër persona për ndihmë sikur edhe semaforët për ndërrime. Po ashtu vëzhguesit duhet të jenë vigjilent në shënimin e çdo ndodhie në ndeshje dhe të pasqyrojnë çdo gjë në raportet e tyre. Ndërkaq, z. Ejup Osmani zyrtar për integritet duke i përshëndetur vëzhguesit tha se tashmë edhe FFK-ja ka një zyrtarë që merret me integritetin e garave duke vënë në spikamë se UEFA dhe FIFA janë të interesuara për mbarëvajtjen e garave, për mbrojtjen dhe mënjanimin e dukurive negative me theks të veçantë për të parandaluar manipulimet dhe trukimet e ndeshjeve. Tutje z. Osmani tha se garat duhet të jenë të rregullta në frymë sportive, duke u bërë ballë presioneve të ndryshme nga manipulatorët, paraja e të cilëve është e pistë dhe vjen nga krimet , droga dhe marifetllëqët e ndryshme. Gjatë gjithë kampionatit do të mbikëqyret zhvillimi i ndeshjeve prandaj duhet të japim të gjithë kontributin që të kemi gara të shëndosha me integritet dhe suksesi e rezultati të jetë gjithmonë si epilog i asaj çka tregojnë skuadrat në fushë.