Kryetari i FFK-së, z. Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm, z. Eroll Salihu, kanë organizuar sot një pritje për skuadrën e shkollës së futbollit “Diti –Sport” nga Kaçaniku, pas suksesit që djelmoshat e kësaj skuadre kanë arritur në grupmoshën 12-vjeçe në turneun ndërkombëtar “Norway Cup”. Me këtë rast, kryetari Vokrri përgëzoj njomakët kaçanikas, të cilët e zunë vendin e parë në këtë turne prestigjioz. “Edhe ky sukses i këtyre djelmoshave shkon në drejtimin e përpjekjeve të FFK-së për ndërkombëtarizimin sa më të shpejtë të futbollit kosovar dhe anëtarësimin në UEFA e FIFA. Pas Botërorit ku në mënyrë dinjitoze na përfaqësuan shtatë futbollistë shqiptar, edhe këta djelmosha të rinj na kanë bërë krenar të gjithëve me suksesin e arritur në Norvegji. Me prezantimin e tyre të denjë këta djelmosha treguan se edhe ata që lindin dhe rriten si futbollistë në Kosovë me vullnet dhe punë mund të arrihet shumë, ndonëse kushtet nuk janë ato që duhet të jenë. Unë dua t’i përgëzoj këta futbollistë të rinj dhe uroj që të vazhdojnë të punojnë shumë dhe të korrin suksese edhe në të ardhmen”, ka thënë Vokrri.
Ndërkohë, trajneri i skuadrës Diti-Sport, Fatos Vishi, ka falënderuar krerët e FFK-së për pritjen e organizuar dhe për përgëzimet, derisa ka shpalosur edhe detaje nga ecuria e turneut. “Ne kemi marrë pjesë në turneun ‘Norway Cup’ nga 27 korriku deri më 2 gusht dhe kemi arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke fituar vendin e parë në kategorinë 12-vjeçe. Në këtë turne, në të cilin kanë marrë pjesë mbi 1500 ekipe nga 60 shtete ne i kemi fituar të gjitha ndeshjet në kategorinë tonë, duke shënuar 30 gola e duke pësuar vetëm 3. Përveç paraqitjes mbresëlënëse në fushën e gjelbër këta djelmosha janë paraqitur denjësisht edhe në disa aktivitete tjera gjatë këtij turneu”, ka thënë Vishi. Ai me këtë rast ka falënderuar ambasadën e Norvegjisë që ua ka mundësuar pjesëmarrjen në këtë turne.
Kapiteni i skuadrës, Veton Tusha, në emër të bashkëmoshatarëve të tij e ka falënderuar kryetarin Vokrri për pritjen, derisa është shprehur tejet i lumtur për suksesin e arritur në Norvegji dhe për eksperiencën e fituar nga ky turne dhe qëndrimi në këtë shtet skandinav.
Për ekipin Diti-Sport ky ka qenë prezantimi i dytë jashtë shtetit, pasi vitin e kaluar kanë treguar sukses të madh edhe në një turne në Danimarkë, derisa në edicionin e kaluar janë shpallur kampion të regjionit të Ferizajt.
Në fund, golashënuesi më i mirë, Etnik Brruti ia ka dhuruar një fanellë kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri dhe ka shprehur dëshirën që një ditë të bëhet futbollist i famshëm siç ishte kreu i tanishëm i shtëpisë së futbollit kosovar.