vokrri1Sot më 8 tetor, kryetari i FFK-së, z. Fadil Vokrri, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëmm z. Eroll Salihu, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë me temën: Promovimi dhe zhvillimi i sportit për të rinj: kooperimi dhe bashkëpunimi në shkollë dhe komunitet, që u drejtua nga z. Gaby Hagmueller dhe Ardita Metaj Dika. Ndërkaq, në këtë konferencë morën pjesë shumë pjesëmarrës ndër ta edhe Christof Stock (Shef i operacioneve i BE) dhe profesor Malësor Gjonbalaj, këshilltar për sport i ministrit të MKRS-së, Memli Krasniqi. Temën kryesore të kësaj konference e mbajti kryetari FFK-së, z. Fadil Vokrri me temën: Statusi aktual dhe e ardhmja e sportit rinor në Kosovë. Në këtë konferencë u zhvillua një debat shumë i frytshëm, ndërsa ligjërimin komplet të kryetarit Vokrri mund ta lexoni mposhtë.
 
“Statusi  aktual dhe e ardhmja e sportit rinor në Kosovë”
 
Para se të mundohemi të sqarojmë gjendjen momentale të sportit për të rinj dhe statusin e këtij aktiviteti fizik por edhe mendor që ka në shoqërinë tonë, do të hyjë shkurtazi në qëllimin e institucionalizimit të sportit nëpër mjediset ku jetojnë dhe veprojnë fëmijët dhe të rinjtë.
Sporti si term nuk ka definicion të qartë teorik por nënkupton aktivitetin fizik që ndërlidhet me aftësitë dhe shkathtësitë që prodhojnë kënaqësi, në radhë të parë për individin.
Marrja e vazhdueshme me sport në aspektin fizik përmirëson dhe e bënë të qëndrueshëm sistemin kardiovaskular, shton fuqinë fizike, rritë fleksibilitetin trupor etj.
Por, zhvillimi mental nëpërmjet marrjes me sport, tek të rinjtë manifestohet duke rritur vetëbesimin, vetëdisiplinën, vendosmërinë dhe ndjenjën e përkatësisë në ekip.
Nuk besoj që ka ndonjë studim serioz mbi gjendjen momentale të sportit rinor në Kosovë por besoj se të gjithë do të pajtohen se ajo nuk është në një gjendje të kënaqshme .
Po flas për sportin në të dy nivelet, në nivelin rekreativ por edhe në nivelin e sportit garues tek të rinjtë dhe fëmijët.
Kur flasim për sportin rinor, unë nënkuptoj aktivitetet  sportive nëpër shkolla dhe ato në kohë të lirë. Sporti nëpër shkolla ushtrohet  në masë të pamjaftueshme, jo në kontinuitet, në infrastrukturë të dobët dhe shpesh nga arsimtarët që nuk përcjellin trendet dhe të arriturat e fundit nga shkenca mbi sportin.
Përkundër mendimit se ushtrimet fizike dhe lojërat me top, gjimnastika etj. nuk kërkon ndonjë përgatitje speciale, vlen të theksohet se pikërisht tek fëmijët dhe tek të rinjtë nevojitet punë e kujdesshme profesionale duke  përshtatur ushtrimet fizike, gjimnastikën trupore, fitnesin, moshës së tyre mjaft të ndjeshme. Aktivitetet sportive duhet të fillojnë qysh në institucionet parashkollore për të krijuar një shprehi tek fëmijët dhe duke i motivuar me shembuj të ndryshëm për nevojën e marrjes me aktivitete sportive. Fryma e garimit me njëri tjetrin apo grupet dhe ekipet tjera duhet të kultivohet me kujdes dhe duke potencuar rolin e fair-play-it dhe respektin për kundërshtarin sportive.
Fëmijët dhe arsimtarët e edukatës fizike nëpër institucionet shkollore ballafaqohen me probleme të mëdha për organizimin e aktiviteteve fizike dhe sporteve shkollore, për shkak të kushteve të vështira infrastrukturore që pamundëson pastrimin e trupit dhe përgatitjen për mësimin vijues si dhe orët e edukatës fizike nuk koordinohen me lëndët tjera.
Një element pozitiv është organizimi i garave ndërshkollore në lloje të ndryshme sportive të cilat motivojnë nxënësit për marrje me sport. Në këtë drejtim formimi i federatës për sporte shkollore është hapi më i rëndësishëm për një organizim në nivel shtetëror të garave sportive nëpër shkolla.
Objektiv i shoqërisë dhe institucioneve shtetërore e sidomos i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Sportit duhet të jete promovimi i sportit nëpër shkolla duke involvuar të rinjtë në programe afatgjate sportive për t‘u marrë me sport si rekreacion apo për t’u inkuadruar nëpër klubet sportive me karakter garues.
Pak më e mirë është gjendja me sportin garues ku të rinjtë aktivizohen nëpër klube te ndryshme sportive.
Problem në vete është infrastruktura e dobët sportive, e cila nuk lejon një zhvillim dhe përparim cilësor të sportistëve të rinj. Nganjëherë, regjistrimi i një numri të madh fëmijësh nëpër klube sportive ndihmon masovizimin, por pengon përqendrimin në punë me një grup të veçuar talentesh.
Ndërkombëtarizmi i sportit do të rriste shumë dëshirën e të rinjve për t’u marrë me sport  duke hapur mundësinë për t’u krahasuar dhe garuar  në mënyrë të barabartë me moshatarët e shteteve tjera.
Mungesa e objekteve sportive nëpër mjediset urbane ul motivin dhe dëshirën e fëmijëve për t’u marrë me sport gjë që zvogëlon aktivitetin fizik të tyre dhe hap rrugën për varësinë ndaj “mjeteve moderne teknike me lojëra kompjuterike” të cilat kufizojnë në masë të madhe aktivitetet fizike dhe ndikon dëmshëm për shëndetin për shkak të ambienteve të mbyllura.
Duke pasur parasysh moshën e re të popullatës në Kosovë, e ardhmja e sportit rinor doemos duhet të kanalizohet dhe institucionalizohet duke krijuar një strategji afatgjate ndërinstitucionale dhe duke marrë përvojat e mira nga shtetet e zhvilluara në këtë drejtim.
Marrja e obligueshme me sport nëpër institucionet parashkollore dhe shkollore, trajnimi adekuat i kuadrit profesional, orientimi i të rinjve nëpër sportet ku ata shfaqin talent, ngritja e infrastrukturës përkatëse nëpër mjediset urbane, motivimi në forma të ndryshme publicitare për t’u marrë me sport rekreativ etj. do të ishin disa nga drejtimet kah duhet të orientohet strategjia për zhvillimin e sportit rinor.
Kësaj do t’i kontribuonte jashtëzakonisht shumë edhe garimi në skenën ndërkombëtare i Përfaqësueseve  dhe klubeve të Kosovës në sportet e ndryshme e sidomos në ato më të popullarizuara.
Integrimi i plotë në organizmat ndërkombëtare do të ndihmonte kyçjen në politikat dhe programet ndërkombëtare siç janë politikat rinore te BE-se,  programi i BE-së për mobilitetin e të rinjve si dhe në programe të tjera për financimin e projekteve për sportin rinor.
Gjatë hartimit të strategjisë apo planit nacional për sportin rinor duhet të merren parasysh indikatorët si vijon:
1.Popullata e fëmijëve, grupmosha nga 0-14 vjet
2.Popullata e re, grupmosha nga 15-24 vjet, si dhe
3.Përqindja e tyre në popullatën e përgjithshme
Parim kryesor në këtë strategji duhet të jetë qasja e barabartë e të gjithë fëmijëve në programet e trajnimit, edukimit dhe garimit kualitativ për sportin rinor.
Kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet kategorisë së fëmijëve më të meta dhe të retarduar, barazisë gjinore si dhe integrimit të fëmijëve nga minoritetet që jetojnë në Kosovë.
Arsimtarët dhe edukatorët duhet vazhdimisht të marrin pjesë në seminare dhe konferenca ndërkombëtare për trajnim dhe edukim kualitativ në mënyrë që të ketë ndikim pozitiv në sportin rinor.
Sporti rinor ka të ardhme të mirë në Kosovë, sepse fëmijët dhe rinia kosovare janë nga natyra të gjallë dhe të motivuar për t’u marrë me sport. Nevojitet vetëm orientimi dhe strategjia institucionale dhe krijimi i kushteve me infrastrukturën përkatëse.