Sot më 22 mars Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e Fadil Vokrri,t kryetar, ku debatoi për shumë çështje të futbollit të Kosovës. Kryetari Vokrri i njoftoi anëtarët e KE-së për takimet e tij në UEFA dhe FIFA gjatë qëndrimit në Zvicër me qëllim të lobimit për pranimin e FFK-së në UEFA. “Pas shumë takimeve që pata ato rezultuan me suksese dhe lajmi më i mirë për ne ishte ai i ditës së premte, ku KE i UEFA-s vendosi ta rendisë në agjendën e vet çështjen e pranimit të FFK-së në UEFA në Kongresin e 3 majit që do të mbahet në Budapest, madje çështjen e Kosovës e dërgoi edhe më larg duke i kërkuar FIFA-s që ta pranojë FFK-në në FIFA pas pranimit të saj në UEFA në Kongresin e saj në Meksikë. Por kjo nuk na jep të drejt që të ndalemi por duhet të vazhdojmë të takojmë përfaqësues të federatave të futbollit deri në pranimin e plotë të FFK-së”, ka theksuar Vokrri.
KE po ashtu në këtë mbledhje miratoi edhe raportin financiar për vitin 2015, të cilën më parë e ka miratuar Komisioni i pavarur i financave dhe Auditori i pavarur dhe i njëjti i është dërguar Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrisë së Financave përkatësisht Administratës Tatimore të Kosovës. KE shqyrtoi edhe ankesa e parashtresa drejtuar këtij organi.