Sot më 8 maj kryetari i FFK-së, z. Fadil Vokrri, priti në zyrën e tij ambasadoren e Republikës së Turqisë znj. Songul Ozan, e cila po shoqërohej nga kryetari i Odës Ekonomike turke në Kosovë si dhe përfaqësueses të Kompanisë “Limak-Çalik”. Duke i uruar mirëseardhje znj. Ozan, kryetari Vokrri, shprehu falënderimin e tij për shtetin e Turqisë dhe të Federatës së Futbollit të Turqisë për përkrahjen e parezervë për Kosovën dhe futbollin e Kosovës. Pas një kohë të gjatë po bëhet realitet ëndrra e shumë futbolldashësve të Kosovës që të zhvillohet një ndeshje ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Turqisë, është shprehur tutje kryetari Vokrri duke premtuar një bashkëpunim edhe më të thellë në të gjitha fushat e sidomos në mbështetjen e Federatës turke për FFK-në drejt arritjes së synimeve për t’u bërë pjesë e mekanizmave ndërkombëtar. Nga ana e saj ambasadorja e Turqisë, znj. Songul Ozan ka falënderuar kryetarin Vokrri për mikpritje tepër miqësore. Unë e di që Federata e Futbollit e Kosovës ka një bashkëpunim të mirë me Federatën e Turqisë dhe ndeshja që do të zhvillohet më 21 maj, do të shënojë një simbol të ri të marrëdhënieve jo vetëm ndërmjet dy federatave, por edhe të vet shtetit turk dhe Kosovës. Jam e bindur se ky bashkëpunim vëllazëror do të vijë e të shtohet çdo ditë e më shumë. Ju premtoj se FF e Turqisë gjithmonë do të jetë një krah i fortë i FFK-së në të gjitha fushat ku kërkohet ndihma, ka theksuar me këtë rast ambasadorja turke, znj. Songul Ozan.