Sot më 17 shtator, kryetari i FFK-së Fadil Vokrri bashkë me nënkryetarin Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu kanë pritur kryetarin e Bordit të Shoqatës Profesionistë e Gazetarëve sportivë të Kosovës(SHPGSK), z. Milaim Krasniqi me anëtarët e Bordit. Kryetari Vokrri duke i përgëzuar për ringjalljen e kësaj shoqate, ka vënë në pah rolin e madh që kanë gazetarët sportivë në zhvillimin e futbollit, të cilët me punën dhe angazhimin tyre, mund të japin një kontribut të madh, në pasqyrimin drejt të ngjarjeve në futbollin e Kosovës, në shtimin e cilësisë, organizimit dhe në mënjanimin e dukurive negative që mund të shfaqen në terrenet e futbollit. Kryetari Vokrri u premtoi mbështetje si dhe angazhim në përmirësimin e kushteve për punë të gazetarëve nëpër stadiume qe ishte edhe njëra ndër kërkesat e Shoqatës. Nga ana tjetër
kryetari SHPGSK- së Milaim Krasniqi, duke falënderuar për këtë pritje ka theksuar se bashkë me Ministrinë e Kulturës dhe Sportit dhe KOK-ut, Federata e Futbollit është partneri më i madh i Shoqatës. Z. Krasniqi ka premtuar angazhim profesional të gazetarëve sportivë që futbolli i
Kosovës të arrijë objektivat si në planin e brendshëm edhe në atë ndërkombëtarë. Po ashtu Bordi i Shoqatës ka kërkuar që klubet tu krijojnë kushte më të mira në stadiume dhe FFK-ja të përdorë autoritetin e saj në këtë drejtim. Po ashtu kryetari i Shoqatës z. Milaim Krasniqi e njohu kryetarin Vokrri për nismën që shoqata ka marrë për ripërtëritjen e turneut përkujtimor kushtuar doajenit të gazetarisë sportive Burim Hatipi, i cili ishte dhe futbollist i KF”Prishtina”, duke kërkuar edhe mbështetjen e FFK-së. Në fund të dyja palët janë pajtuar që të bashkëpunojnë ngushtë në të mirën e futbollit të Kosovës.